Kastrioti në janar bëri disa përforcime dhe një prej lojtarëve të marrë në momentet e fundit ishte shkodrani Arlind Kalaja. Mesfushori me tipare ofensive u mor nga Kukësi në formë huazimi dhe sezonin e ardhshëm mbetet për t’u parë se ku do të aktivohet.
Me Kastriotin e ka mbyllur bashkëpunimin. Në tre ndeshjet e fundit nuk ka qenë i grumbulluar dhe në fakt pritej largimi i tij dhe për shkak të marrëveshjes 6-mujore. Kalaja do të duhet të rikthehet te Kukësi, që duhet të vendosë se çfarë do të bëjë me të sezonin e ardhshëm.
Me Kastriotin Kalaja arriti të luante në 12 ndeshje dhe vetëm njërën prej tyre e nisi nga stoli. Shkodrani nuk ia doli dot të shënonte gol, por hapësirat i pati për të treguar vlerat e tij. Te Kukësi, në 12 ndeshje që luajti në total në pjesën e parë të sezonit, vetëm një e kishte nisur si titullar.