Merkatoja e janarit është në prag dhe lëvizjet e ndryshme nëpër klube kanë nisur të bëhen që tani. Tek Interi kryefjala e këtyre ditëve ka qenë padyshim rinovimi i Mauro Ikardit, që për momentin nuk ka pasur asgjë konkrete. Nga ky fakt mediat në Itali dhe jo vetëm, kanë nisur të raportojnë për një transferim të argjentinasit larg klubit zikaltër.
Sipas asaj që thuhet së fundmi nga prestigjiozja italiane, “Gazetta dello sport”, Ikardi mund të jetë afër një transferimi te Çelsi, teksa ditën e djeshme kapiteni zikaltër ka qenë në Londër. Vonesa e 25-vjeçarit për të firmosur rinovimin, i ka shtuar akoma më shumë këto zëra. Gjithsesi, tashmë pritet të shihet se çfarë do të ndodhë në janar.
Përveç Ikardit, në ambientin zikaltër, pritet me interes dhe çështja Gabigol. Braziliani ka përfunduar periudhën e huazimit te Santos dhe është kthyer tek Inter tashmë. Paraqitjet e mira në Brazil, kanë bërë që talenti të jetë në listën e disa skuadrave, ku Flamengo ka shfaqur interesin më të madh.
Klubi nga Brazili, ka gati një ofertë prej 22 milionë eurosh, të cilët tashmë kanë kaluar topin te drejtuesit zikaltër. Kujtojmë, Interi e bleu dy vite më parë Gabigolin, nga Santos, për diçka më shumë se 30 milionë euro, por 22-vjeçari nuk ka mundur të bëhet thuajse për asnjë moment protagonist në “San Siro”.