Skuadra e Borusia Dortmund këtë merkato kërkon një mbrojtës qendre me eksperiencë. Dialo, Akanzhi apo Zagadu kanë një moshë shumë të re. Qendra e repartit difensiv është një repart delikat, ku duhet me patjetër një lojtar i pjekur dhe i aftë në momente të vështira.
Laurent Koshielni i përmbush të gjitha kriteret që kërkon klubi gjerman. Francezit i skadon kontrata verën e ardhshme. 33-vjeçari ka shpenzuar nëntë vite në Londër dhe ky mund të jetë i fundit në “Emirates Stadium”. Arsenal nuk dëshiron ta largojë me kosto zero dhe do të shqyrtojë ofertat që do të vijnë.
Ky sezon ka qenë i vështirë për të, ku është shoqëruar nga një dëmtim i rëndë në tendinën e Akilit. Ky shqetësim fizik e la atë jashtë fushave deri në muajin dhjetor. Ju desh kohë për të arritur kondicionin optimal fizik dhe gjysma e dytë e sezonit shërbeu për këtë.