Elseid Hysaj është në Shqipëri, pasi nesër është një ditë shumë e rëndësishme për të, dita e celebrimit martesor. Edhe pse vëmendja e mbrojtësit kuqezi është vetëm te kjo ditë e shënuar, kjo gjë nuk i ka penguar mediat që të spekulojnë mbi të ardhmen e tij.
Për më shumë se dy sezone tashmë, duket se anësori kuqezi është një nga lojtarët më të kërkuar në merkato, por në ditët e fundit, një kalim i tij te Atletiko Madrid duket më shumë se një thashethem. Sipas asaj që rapotohet nga Alfredo Pedula, Hysaj do të jetë një lojtar i Atletikos, skuadër e cila ka paguar 20 milionë euro për shërbimet e tij.
Huanfran u nda me “Colchoneros” pas 9 sezonesh, ndërsa mbrojtësi tjetër i djathtë, Arias, nuk ka bindur dhe pritet të largohet. Simeone ka mbetur pa mbrojtës të djathtë dhe si pasojë, ka vendosur të shpenzojë plot 20 milionë euro për mbrojtësin shqiptar.