Mundësia e fundit e Arsenalit për të kapur Champions League për sezonin e ardhshëm ishte finalja e Europa League, të paktën teorikisht… Mëngjesin e sotëm në Angli po qarkullon lajmi që është edhe një mundësi tjetër që “Topçinjtë” të jenë pjesë e Championsit për sezonin e ardhshëm.
Pavarësisht humbjes në finalen e Europa League, shansi i Arsenalit është në rast se Mançester Siti dënohet nga UEFA me pezullimin nga kompeticionet e saj. “Citizens” janë nën hetim dhe nuk përjashtohet një dënim që i nxjerr këta të fundit nga Championsi për sezonin e ardhshëm.
Për diçka të tillë do të lutet Arsenali, pasi në rast se kjo gjë ndodh, atëherë do të përfitonte vendi i pestë në Premier League, pikërisht londinezët e Unai Emeri. Tashmë, në Londër të gjithë kryqëzojnë gishtat dhe shpresojnë në një “mrekulli”.