Hënes: Nejmar? Ne të Bajernit nuk bëjmë dredhi si Barça

Në vitin 2013, Bajerni mund të kishte bërë transferimin më të bujshëm në historinë e vet. Bëhet fjalë për yllin brazilian Nejmar, i kërkuar asokohe me ngulm nga trajneri Pep Guardiola, por që nuk gjeti kurrë dakordësinë e klubit. “Imagjinoni një lojtar nga Brazili, i mësuar me klimë krejt ndryshe atje, duke luajtur në Mynih, një vend i ftohtë”, – pati deklaruar Karl-Hainc Rumenige atë vit, por situata ka qenë krejt ndryshe dhe e ka shpjeguar presidenti i klubit, Uli Hënes, në një intervistë të fundit. “Duhet theksuar se e ne e kuptuam shpejt se negociatat për blerjen e tij do të ishin të vështira dhe kjo u vu re bazuar tek ajo që vuajti Barcelona më pas. Katalanasit duhet të bënin disa dredhi për ta blerë. Nuk po flasim për shifrën që i duhej paguar Santosit, por për disa shuma të tjera parash që duheshin paguar në palë të treta. Një gjë të tillë nuk e bëjmë dot kurrë dhe thamë jo”, – ka thënë numri 1 i rekordmenëve.

Sane

I pyetur për ish-lojtarin e Shalkes, tani te Mançester Siti, Leroi Sane, Hënes ka shpjeguar se Bajerni e ka dashur, por si “prenotim” për pas një viti. Kjo ka penguar blerjen e tij. “Ne preferonim ta kishim në skuadër, nuk diskutohet. Problemi ishte që planifikonim ta blinim nga vera e ardhshme, sepse atëherë nuk kishim vend për të. Në futboll, fatkeqësisht, nuk mund të ‘prenotosh’ një lojtar që kushton 50 milionë euro për një sezon dhe të thuash që do ta blej vitin tjetër”.

Draksler

Për sa i përket Julian Drakslerit, i spekuluar si blerje e mundshme e Bajernit për këtë verë, Hënes gjithashtu ka saktësuar se gjermani nuk ka vend te Bajerni. “Ne kemi një grup të madh lojtarësh. Nëse do të blejmë një lojtar si Draksler, atëherë ashtu si në rastin e blerjes së Hamesit, do shtrohej pyetja: Po Myler? Padyshim që një lojtar si Draksler do i përshtatej shumë mirë Bajernit, por ne nuk duam të shesim asnjë nga lojtarët aktualë. Kam që tani dhimbje koke kur mendoj se kush do luajë kur të jenë të gjithë të shëndetshëm plotësisht”, – ka përfunduar presidenti i kampionëve të Gjermanisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *