Apoloninë e nderojnë penalltitë ndaj Orikut

0

Apolonia – Oriku   2 – 0

Shënues: Hysenshahaj 38’ (11-m), Krasniqi 76’ (11-m)

Apolonia: Çako, Braka, Kuçi, Broshka, Velo, Troka, Andoni, Hysenshahaj, Kondakçi, Dimo, Krasniqi. (U aktivizuan edhe Zykaj, Bega, Duda, Sota, Prifti, Kondaj, Mavriqi, Velaj, Lamaj). Trajner: N. Kashami.

Oriku: Muho, E. Hoxha, A. Metaj, Nurçe, G. Hoxha, L. Metaj, Xhelili, Kapaj, Azizi, Levanaj, Sadushi. (U aktivizuan: Kapello, Kamberi, Gjipali, Çapaj, Dalani, Shkurti, I. Kapaj). Tajner: G. Mezani.

Gjyqtarë: E. Hazizi, Sh. Shehu, S. Çepele (Pjesën e dytë: N.Përmeti, K.Gjergjaj, S.Çepele ) Fier

Bujar Rama

Dje, skuadra e Apolonisë ka zhvilluar miqësoren e radhës në Fier. Këtë herë, kundërshtar i ekipit të drejtuar nga trajneri Kashami ka qenë ekipi i Orikut të Orikumit që luan në Kategorinë e Dytë. Fierakët kanë mposhtur skuadrën orikase me rezultatin 2-0, falë dy golave që kanë ardhur nga pika e bardhë e penalltisë. Fierakët shënuan nga një gol në çdo pjesë me autorë Hysenshahajn dhe Krasniqin.

Ndeshja – Takimi midis këtyre dy ekipeve ka filluar i shpejtë dhe me ritëm, çka tregoi se të dyja skuadrat e kishin vlerësuar testin e djeshëm. Me kalimin e 10 minutave të para, fierakët janë më të qartë në lojën e tyre dhe fillojnë të krijojnë presion ndaj kundërshtarit. Nëpërmjet një loje të shpejtë dhe pasimeve të sakta e të bukura i japin prioritet sulmues ndeshjes dhe shikojnë më shumë në drejtim të portës kundërshtare duke u vënë në kërkim të golit të avantazhit. Fierakët krijojnë disa raste shënimi, por lojtarët nga dëshira e mirë për të shënuar sa më shpejtë shpejtohen e gabojnë duke i shpërdoruar ato. Nga ana tjetër, ekipi kundërshtar duke ndjerë rrezikun e pësimit të golit luan në një mbrojtje të ngjeshur duke mos u lënë hapësira lojtarëve vendas dhe duke i mbajtur larg portës së tyre. Megjithatë, duhej të vinte minuta 38-të që Apolonia nëpërmjet marrjes së një sulmi të shpejtë fiton një penallti që kthehet në gol nga Hysenshahaj. Në minutat e mbetura të pjesës së parë ka një reagim të lehtë të miqve, të cilët ndërmarrin disa kundërsulme për të barazuar rezultatin por pa ja arritur qëllimit.

PJESA E DYTË – Fraksioni i dytë i lojës fillon i bukur dhe i ngjashëm me minutat e para të fillimit të kësaj miqësore. Orikasit edhe pse janë një kategori më poshtë bëjnë gjithçka që të jenë si të barabartë me ekipin e Apolonisë. Fierakët jo vetëm mbrohen mirë, por nuk heqin dorë edhe nga sulmet e shpejta në kërkim të dyfishimit të rezultatit. Dhe kjo lojë e mirë jep edhe rezultatin e vetë, pasi në minutën 76-të janë vendasit që arrijnë të gjejnë sërish rrugën e rrjetës, kësaj here nëpërmjet sulmuesit Krasniqi. Në minutat në vazhdim, edhe pse ka shumë raste nga të dyja ekipet, sfida përfundon me rezultatin 2-0

Pas ndeshjes…

Ndriçim Kashami, trajneri i Apolonisë: “Jam i kënaqur jo vetëm nga rezultati i arritur, por më shumë nga loja e zhvilluar nga ekipi im. Ai iu përgjigj kërkesave tona, duke treguar se ka rritje në lojën e tij. Kemi ende shumë punë për të bërë deri në startin e kampionatit, megjithëse jemi të bindur se do ta fillojmë me këmbë të mbarë sezonin e ri”.

Haxhiraj, zv. trajner i Orikut: “Skuadra në përgjithësi zhvilloi një lojë të mirë, pavarësisht rezultatit të arritur. Jemi në rrugë të mbarë dhe besoj se sezonin e ri do të arrijmë synimin që kemi për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.