Talenti anglez Kalum Hadson-Odoi u ka bërë të qartë drejtuesve të Çelsit se nuk e shikon të ardhmen e tij në Angli. Bajerni i Mynihut po bën çmos për ta blerë kartoni e lojtarit dhe për këtë ka marrë miratimin e plotë të adoleshentit.
Sipas “The Guardian”, ditën e djeshme 18-vjeçari u ka dorëzuar drejtuesve të Çelsit një kërkesë për transferim, duke ua bërë të ditur se përpjekjet e tyre për të rinovuar kontratën që mbaron në qershorin e 2020-ës janë të kota.
Para pak javësh Bajerni ofroi 35 milionë euro për kartonin e sulmuesit 18-vjeçar, por kjo ofertë u refuzua nga Çelsi. Megjithatë, vendimi i fundit i lojtarit rrit ndjeshëm shanset e bavarezëve për ta bërë të tyrin talentin anglez.
Gjermania është kthyer në një kampionat tërheqës për talentët anglez. Shembulli më i mirë është Xhejdon Sanço, i cili u largua nga Mançester Siti për shkak të minutave të pakta. Tani te Dortmundi, 18-vjeçari është kthyer në një nga lojtarët më të kërkuar në planet.