Guri në 360 gradë: Ostende, Abazaj, Kukësi dhe Kombëtarja  

Sulmuesi Sindrit Guri e ka nisur mbarë aventurën e tij në Belgjikë. Skuadra e Ostendes i ka besuar shkodranit fanellën me numër 10 dhe në takimin hapës të kampionatit belg, Guri e nisi me një asist. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, 24-vjeçari flet për nisjen e aventurës së re, por dhe për takimin e javës së ardhshme, ku do të takojë Kristal Abazajn.

Nuk mund të ishte jashtë vëmendjes së Gurit dhe ndeshja e Kukësit me Karabakun, me sulmuesin që beson te kualifikimi, madje shkon dhe më tej, duke shprehur dëshirën e tij se kush do të donte që ta zgjidhte sfidën e sotme. Në fund, Guri tregohet i sinqertë, duke treguar se ai e pret një ftesë nga Panuçi për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares.

Sindrit, si ka qenë kjo nisje e re në Belgjikë?
Është një nisje e mirë për mua edhe pse unë kërkoj më shumë nga vetja sepse e ndjej se mund të jap akoma dhe më shumë.
Jeni përshtatur plotësisht me skuadrën e  re?
Jam përshtatur shumë mirë, por nuk mund të them plotësisht sepse duhet të përshtatem me ekipin po ashtu dhe me atë që kërkon trajneri.
Në ndeshjen e parë arritët që të jepni një asist, por në fazën përgatitore keni shënuar disa gola, kur e pret golin e parë Guri?
E rëndësishme është që të luaj dhe të kontribuoj për ekipin dhe pastaj mendoj se golat do të vijnë vetë.
Mund të vijë ky gol në sfidën me Anderlehtin e Abazajt?
Dëshira është e madhe dhe do mundohem në maksimum të shënoj, por më e rëndësishme është që skuadra të arrijë suksesin.
Keni një mesazh për Kristalin që me shumë gjasa do e takoni në ndeshjen e radhës?
Jam i gëzuar që do e takoj. Nuk kam çfarë t’i them tjetër përveç se t’i uroj më të mira dhe të besojë tek vetja e tij, pasi mund të bëjë shumë mirë me ekipin e tij. Mundësitë i ka ashti si dhe aftësia nuk i mungon.
Kalojmë pak tek Kukësi, sot luan një ndeshje shumë të rëndësishme, beson tek kualifikimi?
E kam ndjekur ndeshjen e parë dhe do ta shoh dhe përballjen e sotme. Mendoj se mundësitë i ka, por duhet pranuar se është një ndeshje e vështirë, por duhet të besojnë se do arrijnë suksesin. Në fund të fundit nuk kanë çfarë të humbasin.
Mendon se me Gurin do e kishin pasur më të lehtë?
Jo, nuk mendoj ashtu. Kukësi ka qenë dhe pa Gurin në të shkuarën dhe ka bërë shumë mirë. Unë mund t’i ndihmoja, pasi njihem mirë me lojtarët dhe kuptonim shumë mirë lojën e njëri-tjetrit. Tani, edhe lojtarët e afruar duan kohën e tyre që të përshtaten.
Kush beson se do të vendosë sot nga ish-shokët e tu?
Dëshira është që ta zgjidhë Musolli së bashku me Shametin, por kjo nuk është e rëndësishme. i rëndësishëm është kualifikimi dhe sikur të realizohet me autogol, do të mjaftonte që ekipi të kualifikohet dhe të ecë përpara. Do gëzohesha shumë, pasi e meritojnë si lojtarët, stafi, presidenti dhe mbi të gjitha tifozët kuksian.
A pret Guri ftesë nga Panuçi për ndeshjet e vjeshtës dhe a ndihet më i sigurt tani që luan jashtë, duke parë që zakonisht futbollistet e Superiores me shumë vështirësi grumbullohen?
Normalisht që e pres një ftesë. Këtë gjë nuk e di unë, pasi është trajneri që duhet të ndjehet më i sigurt apo jo. Kjo nuk më përket mua që ta them.

INTERVISTOI: Jurgen Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *