Mançester Siti interesohet për yllin e Frankfurt, Luka Joviç. Lojtari serb ndiqet nga shumë klube të mëdha evropiane, si Çelsi dhe Barcelona. Janë pikërisht katalanasit që kanë shfaqur interesin më të madh për 22-vjeçarin, duke parë që Suarez është në perëndim të karrierës. Megjithatë, katalanasit tani do të kenë të bëjnë edhe më konkurrencën e ashpër të “Qytetarëve”.
Joviç ka shfaqur një formë të shkëlqyer sivjet, duke qenë golashënuesi më i mirë i Bundesligës me 15 gola. Ai është dhe autor i pesë asisteve, duke qenë protagonist absolut për ekipin e tij. Shifra këto që e bëjnë qendërsulmuesin një nga më të kërkuarit në merkato. Spanjollët janë të gatshëm të ofrojnë një shifër që i afrohet 45 milionë eurove.
Frankfurti e ka në huazim lojtarin me të drejtën e blerjes me vetëm 6 milionë euro. Një biznes mjaft i mirë ky i ekipit gjerman që pritet ta shesë serbin për të paktën 40 milionë euro. E sigurt është që në fund të këtij sezoni, 22-vjecari do të bëhet me ekip të ri, pasi Frakfurti po pret ofertën e duhur që të privohet nga shërbimet e serbit.