Prej muajsh po flitej për një interesim në rritje të Mançester Junajtid për Antuan Grizman, aq sa u përfol se “Djajtë e Kuq” do të ofronin deri në 100 milionë euro për yllin e Atletikos së Madridit.
Edhe vetë Grizman kohët e fundit kishte lëshuar disa deklarata të paqarta (“Ka 60% mundësi që të largohem), duke u hapur rrugë spekulimeve, por sot ka marrë fund gjithçka, sepse sulmuesi ka rinovuar me Atletikon deri në vitin 2022.
Kontrata e re është një vit më e gjatë se e mëparshmja dhe tani e tutje Grizman bëhet futbollisti më i paguar i Atletikos, por klauzola prej 100 milionë euro për prishjen e kontratës nuk është ndryshuar.
Një nga arsyet që çuan te rinovimi është edhe bllokimi i merkatos së Atletikos këtë verë nga FIFA, që do të thotë se nëse Grizman shitej, nuk mund të blihej një zëvendës për të deri në janar.
Vetë Grizman foli sot për faqen zyrtare të klubit: “Së pari, kërkoj falje nëse deklaratat e mia janë keqkuptuar. Ndoshta jam shprehur gabim, ose mediat kanë abuzuar, por që kur kam ardhur kam dhënë gjithçka për këtë klub dhe jam shumë i lumtur që do të vazhdoj të jem këtu. Do t’iu falënderoj të gjithë duke dhënë gjithçka në fushë, si zakonisht”.
Sulmuesi 26-vjeçar u transferua tek Atletiko në sezonin 2014-15 nga Real Sociedadi dhe që atëherë ka shënuar 83 gola për “Colchoneros”.
???? L’Atleti est heureux d’annoncer la prolongation du contrat d’@AntoGriezmann jusqu’en 2022 ???#Griezmann2022 #AúpaAtleti pic.twitter.com/8RtJNC7GZy
— Atlético de Madrid (@AtletiFR) June 13, 2017