Eros Grezda ka qenë përkrah trajnerit të Gllazgou Rejnxhërs, Stivën Xherard, në daljen për shtyp për takimin e së dielës ndaj Madhëuell. Dëmtimi i Rajan Kent dhe pezullimi i sulmuesit Kandeiash i kanë dhënë një shans të artë sulmuesit shqiptar, që do i duhet të justifikojë besimin e klubit që e bleu për dy milionë euro nga kroatët e Osijekut.
NDESHJA – “Mezi po e pres këtë ndeshje, pasi do të luaj në vende që janë lënë bosh nga Kandeiash dhe Kent. Është një ndeshje e madhe për klubin e për mua dhe shpresoj që të arrijmë të fitojmë. Është një mundësi shumë e mirë për mua, pasi lojtarët që mungojnë në këtë takim zhvilluan një muaj shumë të mirë dhe mu desh të prisja për shansin tim dhe mendoj se sapo më erdhi tani”.
SKOCIA “Të jem i sinqertë para se të vijë këtu nuk dija shumë për Skocinë, por tani e kam krijuar një lloj ideje për kampionatin këtu. Më datë 17 nëntor do të luajmë ndaj Skocisë në Shqipëri. Është një takim shumë i rëndësishëm për ne, pasi na duhet të fitojmë për të qëndruar në ‘Nations League’, por ndeshja e radhës është të dielën, kombëtaret vijnë më pas”, tha Grezda.
Në fund gazetarët skocezë e ngacmuan Grezdën duke e pyetur se a do t’i pëlqente të shënonte portierit të Skocisë Alan Mekgregor, i cili është dhe kolegu i tij te Rejnxhërs. Shqiptari tha se kishte biseduar për këtë takim me gardianin: “I thashë disa herë se sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ne dhe se do të për të pamundurën për t’i shënuar atij”, përfundoi shqiptari.