Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka dalë sot në konferencën e zakonshme për shtyp, së bashku me Ledian Memushajn. Për futbollistin i cili vjen nga një sezon i shkëlqyer tek Avelino shpreson te fitorja në Izrael, duke besuar te forca dhe cilësia e një skuadre që vetëm një vit më parë shkëlqente në Europian.
Jemi në gjendje pak të vështirë, por besoj se do t’ia dalim si skuadër. Në këto momente duhet të dimë atë që kemi arritur, të jemi të vetëdijshëm për forcat dhe kualitetin dhe t’i tregojmë në fushë. Të gjithë lojtarët në Kombëtare kanë cilësi dhe duhet t’i luajmë këto ndeshje me vetëbesim. Kështu do të bëjmë edhe ndaj Izraelit”.
Për Gjimshitin nuk është problem vendosja taktike: Me tre mbrojtës është një skemë që më përshtatet, pasi kam luajtur te Zyrihu dhe më pas te Avelino. Kam pak kohë që nuk kam luajtur, pas ndryshimit të trajnerit te Avelino. Të gjitha skuadrat e mëdha po luajnë të gjitha me tre mbrojtës, kryesisht në Itali”.
Si qendërmbrojtës, Gjimshiti analizon problemin e pësimit të shumë golave: “Nuk mendoj se është problem i taktikës, por çështje individuale, sepse na ka munguar përqendrimi. Duhet t’i evitojmë gabimet individuale”.
Kundër Izraelit, një finale: “Mendoj që në Izrael do të shkojmë për ta fituar ndeshjen dhe për t’iu afruar rivalëve në klasifikim për vendin e tretë. Ky është objektivi ynë. Izraeli nuk është më i mirë se ne. Duhet të jemi bashkë, të japim maksimumin dhe të marrim rezultat në këtë ndeshje. E bukura e futbollit është se në çdo moment ke një rast të dytë. Duhet të tregosh se nuk je ai që bëri atë gabim dhe ta korrigjosh. Në çdo ndeshje kur hyj nuk mendoj shumë për atë që ka ndodhur, por jam i përqendruar te përballja e radhës. Ta përgatisim sa më mirë dhe të jemi gati”.