Safet Gjici, presidenti i Kukësit, i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” në Top Channel, ka lëshuar batuta të shumta. “Në radhë dua të uroj Olsin dhe Demin për titullin. Ta shijojnë këtë Kupë, vitet e tjera do jetë më e vështirë. Sivjet e kanë pasur fushën e lirë, më shumë për fajin tonë. Ua uroj me shpirt këtë titull, e morën para 26 vitesh. Ne kishim 86 vite që nuk merrnim, nuk u bë shumë jehonë. Edhe te Korça nuk u bë jehonë. Partizani ka më shumë tifozë, ka edhe në Kukës tifozë të tyre. Ndoshta prej kësaj është gjithë kjo jehonë.
“Ne kemi pasur vështirësi, sepse të gjitha studiot nisën të flasin për fushën tonë. Nuk luhet aty thoshin. E pashë që duhet të largohemi. Ishte një premtim që do niste shpejt dhe ta mbaronim pas dy fazave të para. Kemi pasur probleme me projektin. Po të luash jashtë është e vështirë. Nuk është pak të dalësh i dyti dhe të jesh në finale. Nëse do luhej në Kukës do merrnim më shumë pikë në shtëpi dhe atë Kupë nuk do e kishte Olsi, por unë”.
“Të gjithë presidentët janë heronj, duke nisur nga Demi që është kampion, e deri te i fundit. Heqin lekët e familjes. Kemi një premtim për ligjin për sportin. Qeveria mund ta miratojë dhe është gjë e mirë”.
“Partizani nuk do fitojë dot Kupë kaq lehtësisht. Sivjet ia kanë dhënë. Edhe vetë lojtarët habiten si e kanë marrë. Kanë pasur ekip shumë më të mirë vitet e tjera. Kuptohet unë marr informacione edhe nga brenda. Ata thoshin me njëri-tjetrin, si ka mundësi e morëm Kupën se ata”.
“Moxhi ka bërë historitë e veta, e kam thënë se nuk kanë nevojë, kanë Olsin. Bënë ekipin me Gegën dhe morën Kupën. Nuk u morën me të tjerët”.
“Partizani as për vend të katërt? Pyet Sul Starovën. Thashë që nuk ishin ne të fortë për titullin. Partizani bëri menaxhim, Gaz Demi ka qenë edhe më përpara aty. Sivjet nuk u morën me të tjerët. Bënë edhe një video, që Kukësi kishte futur këtë e atë. Partizani ka pasur menaxhim krejt tjetër. Gega bëri grupin, lojtarët i kishte aty. Starova kishte bërë punë, për ndërtim ekipi është ndër më të mirët. Unë e Demi nuk marrim vesh shumë nga futbolli, janë specialistët e drejtorët. Osli dhe Gega, u gjet formula e suksesit. Por as ne dhe as Skënderbeu nuk ishim lart. Partizani e mori me meritë. Kur garojnë tre ekipe është më e vështirë, të jemi realistë”.