Alban Hoxha, kapiteni i Partizanit, u dëmtua gjatë përgatitjeve me kombëtaren dhe pritet të mësohet gjendja e tij. Në kampin e kuq shpresojnë që të mos ketë diçka të rëndë dhe të jetë gati për ndeshjen e radhës me Luftëtarin.
Hoxha ka një problem në gju dhe pas vizitave mjekësore do të përcaktohet diagnoza. Mungesa e kapitenit sigurisht që do të kishte ndikimin e vet te të kuqtë, që deri më tani kanë pësuar vetëm një gol me 11-metërsh në sfidën hapëse të kampionatit kundër Skënderbeut.
Ndërkohë që në kampin e kuq kanë shqetësimin e Hoxhës, te Luftëtari i gëzohen rikthimit të Eduart Rrocës. Fantazisti pritet të jetë gati për ndeshjen me Partizanin. Pas një periudhe të gjatë jashtë fushave, mesfushori luajti në miqësoren me Bylisin dje.
Gjithsesi nuk do të jetë nga minuta e parë kundër kryeqytetasve të dielën. Në varësi të ndeshjes Rroca do të ketë minutat e tij, për të qenë gati në vazhdimësi për gjirokastritët.