Partizani mori kreun e renditjes pas fitores së arritur ndaj Kastriotit, ku vuajti jo pak për këtë. Pas ndeshjes, trajneri i të kuqve Skënder Gega, ka folur për emisionin “Gol pas goli”. Tekniku u shpreh i kënaqur me fitoren e marrë, por e pranon që Partizani ka shumë për t’u përmirësuar.
Problemet – “Harruam që ndeshja zgjat 90 minuta. Kastrioti luftoi me shpirt. Patëm problemet tona, por jam i kënaqur me fitoren e marrë. Në mënyra të ndryshme lojtarët gabojnë. Asani gaboi, duhet të shërbente për ekipin. Nga java në javë gaimet janë të ndryshme, gabimet i bëjnë lojtarë të ndryshëm. Edhe kur kemi qenë në momente më të mirë, kam thënë se duhet të korrigjohemi. E thashë, më kënaq trepikëshi.
Kundërshtarët i afrohen portës? – Është e vërtetë, por ne jemi po të njëjtët. Problemi është lodhja. Treshja e sulmit është e lodhur dhe krijohen hapësira, por edhe në mesfushë. Telushi nuk ka bërë asnjë pushim, por është i domosdoshëm. Për mua është e rëndësishme të fitohet ndeshja, qoftë edhe me një gol.
Gabimet –“Gojkoviç është stërvitur gjithë kohën, është korrekt. Koha që ka pasur në stol ndikoi sot, nuk u koordinua dhe nuk pati agresivitet. Te goli i Kastriotit e mendoi veten fajtor dhe u rëndua. Mundohem të mos i vë gishtin askujt. Kemi një lodhje fizike, jemi i njëjti ekipi. Nuk jemi të freskët, shumë faktorë ndikuan sot. Shënuam shpejt dhe ndodh edhe në ekipe të mëdha që ulet agresivitet. Problemet që kemi nuk dua t’i them. Edhe ekipit i thashë që mos t’i vëmë fajin fushës”.