Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka qenë i ftuar në emisionin “Fair-Play” në “Ora News”, ku ka folur mbi ecurinë e skuadrës së tij deri më tani, por 54-vjeçari nuk la pa komentuar edhe situatën e vështirë që po kalojnë te skuadra “fqinjët” e Tiranës.
“Me Tiranën jemi rivalë dhe në një sport mundohesh rivalin ta lësh gjithmonë mbrapa. Gjithsesi. më vjen keq edhe pse jam trajner i Partizanit. Tirana mbetet një klub me histori të madhe. Aty janë mbledhur shumë probleme dhe duhet kohë për t’i zgjidhur. Trajneri Mema është miku im. Ai ka shkuar aty me dëshirë, pasi vjen nga një familje që ka kontribuar shumë për atë klub”.
“Ndonjëherë je në vendin e gabuar në momentin e gabuar, por është futboll. Situata mund të ndryshojë dhe pretendimet duhet të ulen në bazë të pozicionit të renditje. Gjithsesi pavarësisht pikëve ata mbeten një rival ynë”, tha Gega.
Tekniku tropojan foli pas ndeshjes për mediat edhe për gjendjeje e Alban Hoxhës, i cili u pa që të kishte probleme në takimin e djeshëm, por dhe për momentin e mirë që Bardhi po kalon. Trajneri rezervoi vetëm fjalë pozitive për të dy këto lojtarë, që janë vërtetë shumë të rëndësishëm për ekipin.
“Albani kishte shqetësime para ndeshjes, edhe gjatë stërvitjes. U ankua gjatë ndeshjes disa dhe gjatë pushimit. E rëndësishme është që ia doli të luante 90 minuta dhe shpresoj të rikuperohet sa më shpejt”.
“E penalizon fakti që do jetë në kombëtare, edhe herën e parë erdhi i dëmtuar? Në kombëtare ai nuk thirret për t’u dëmtuar, por për t’u shpërblyer dhe për t’i dhënë atë që meriton. Është një nga portierët më të mirë në kampionat. Edhe te kombëtarja ka doktorë, do interesohen dhe kujdesen për të njëlloj si klubi. Shpresoj të kthehet 100%.
“Bardhin e shoh si një pjesë të shëndoshë të ekipit. Është vetëm 21 vjeç, ka një javë që i ka kaluar të 20-at. Nëse vazhdon kështu e ka rrugën të shtruar për të ardhmen e vet dhe bëhet lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin. përveçse ka shënuar, e ka ndihmuar ekipin edhe në aspekte të tjera. Jam i kënaqur me të”