Një zbulim i bujshëm nga Xhani De Biazi, i cili me sa duket pak nga pak do të fillojë të flasë hapur në lidhje me kombëtaren kuqezi, pas largimit nga stoli i Shqipërisë.
Në një intervistë ekskluzive për Supersportin, De Biazi ka zbuluar edhe një prapaskenë nga Europiani i Francës, me dy lojtarë të rëndësishëm si Shkëlzen Gashi e Taulant Xhaka që i bënë presion para ndeshjes, për të luajtur në formacion.
De Biazi tregon për herë të parë se Gashi dhe Xhaka kërcënuan të braktisnin kombëtaren gjatë Europianit, kur morën vesh se nuk ishin titullarë ndaj Francës.
”Unë jam një njëri që përpiqem t’i mbroj lojtarët e mi i menaxhoj siç besoj se është e drejtë. Nëse me duhet të ndërhyj, t’i masakroj, e bëj. Nëse duhet t’i mbroj publikisht, e bëj, duke marrë unë fajin. Gashi dhe Xhaka erdhën një apo dy ditë para ndeshjes me Francën kur panë se nuk kishin fanellat e titullarëve. Erdhën të dy, menduan se ishin më të fortë të dy, do të më trembnin ndoshta, më thanë kemi parë që s’ke ndër mend të na bësh të luajmë, ne duam të shkojmë në shtëpi.”
“Këtu ju thashë, prit, prit, prit pak ndalu, nuk është se shkoni ju në shtëpi , ju dërgoj unë në shtëpi. Pastaj ju thashë edhe shumë gjëra të tjera, dhe që nga ai moment nuk ikën në shtëpi. Ulën armët dhe ikën të flinin. Unë ju thashë ju dërgoj unë në shtëpi dhe qëndruan.”