Adriano Galiani është një nga drejtuesit më të famshëm në botë. Krahu i djathtë i Silvio Berluskonit ishte një nga njerëzit kyç të Milanit të madh, aty ku qëndroi 30 vite dhe provoi e shijoi emocione unike, duke e dërguar ekipin e “Djallit” në majën e botës.
74-vjeçari ka thurur elozhe për punën e Leonardos dhe ka bindjen që asnjë ekip nuk është përforcuar më shumë se kuqezinjtë në merkaton e janarit. Piatek dhe Paketa kanë sjellë entuziazmin e një kohe te tifozët dhe tashmë është një Milan ndryshe.
Në prononcimin e dhënë për “Radio Deejay”, Galiani tregon se është befasuar dhe e mbyll me Monzën, ekipin e tij të zemrës. Berluskoni dhe ai kanë marrë drejtimin e klubit, që garon në divizionin e tretë të futbollit italian. Shumë lëvizje në janar me objektivin kryesor kalimin në Serie B.
LEONARDO-GATUZO – “Milani është skuadra që është përforcuar më shumë në Europë. Me Piatek dhe Paketën, Leonardo u ka ndryshuar fytyrën kuqezinjve. Flasim shpesh së bashku, sepse Leo është miku im, por nuk ka nevojë për këshillat e mia. Gatuzo? Nuk e prisja, pasi besoja se karakteri i tij i fortë do ta kishte penguar të niste karrierën e trajnerit.”
MONZA – “Kemi bërë një merkato të madhe në janar, e para që kur Berluskoni bleu klubin. Afruam 16 futbollistë dhe larguam 14. Unë kam lindur dhe jam rritur në Monza. Jam tifoz i këtij ekipi, që kur mamaja më merrte në stadium kur isha i vogël. Kam refuzuar mijëra skuadra, Monza është një zgjedhje zemre dhe një operacion romantik i Berluskonit, i cili jeton 2 km larg stadiumit. Kam një dashuri të pafundme për Monzën. Nuk është punë, është pasion dhe nuk fitoj asnjë euro nga Monza.”