Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, është rikthyer të flasë për situatën delikate të cilën ndodhet klubi i Skënderbeut në një mbledhje të këshillit bashkiak. Filo u shpreh se po qëndron në kontakt me presidentin Ardian Takaj për të parë zgjidhje alternative për përfaqësimin e qytetit të Korçës në futboll.
“Në momentin që ne flasim klubi i futbollit Skënderbeut vazhdon të administrohet në trajtën e një shoqate. Klubi i futbollit është administruar nga presidenti dhe anëtarët e tjerë të asaj shoqate. Nga informacionet që unë kam nga presidenti i klubit, çështja është ankimuar në gjykatën federale të Zvicrës, pritet një vendimmarrje në qershorin e vitit të tjetër. Është një pozitë delikate pasi vendimi për dënimin e Skënderbeut është në fuqi”.
“Jam duke qëndruar në kontakt me presidentin për të parë se kush mund të jenë alternativat e përfaqësimit të qytetit të Korçës në futboll, në raport me kompeticionet e ndryshme, qofshin këto kombëtare ose ndërkombëtare”, tha Filo.