Mesfushori i Luftëtarit, Realdo Fili, ka qenë një ndër lojtarët më të mirë për skuadrën gjirokastrite, edhe pse u transferua vetëm në muajin janar. Sot, për RTSH Sport, Fili foli për mbarëvajtjen e sezonit në aspektin individual, si dhe komentoi për të ardhmen e tij:
“Erdha nga Skënderbeu pas gjashtë muajsh jo shumë të mira, pasi nuk luajta shumë. Jam i kënaqur që erdha këtu dhe gjeta minuta, shënova, asistova. Gjithsesi, ndjej që nuk kam dhënë ende maksimumin e plotë, por them që kam bërë mirë”.
“Faza e dytë, për mendimin tim, mendoj se ishte e suksesshme, pasi gjendja në të cilën e gjeta ekipin ishte e keqe. Dy ndër lojtarët më të mirë ishin larguar, Rroca dhe Shkurtaj, u largua dhe trajneri. Por ne treguam forcë, besim dhe të gjithë bashkë, realizuam objektivin që kishim”.
“Tani sapo kemi mbaruar sezonin, është koha të bëjmë pushime. Më vonë, do të mblidhemi me presidentin dhe agjentin të diskutojmë. Unë personalisht, dua të qëndroj këtu, pasi ndihem mirë. Besoj që dhe me presidentin do të gjejmë gjuhën e përbashkët, pasi këtu më kanë pritur shumë mirë”, u shpreh Fili.