Atletiko Madrid pagoi 126 milionë euro për të blerë nga Benfika kartonin e talentit 19-vjeçar Zhoao Feliks. Sulmuesi portugez ka pranuar se çmimi rekord që u pagua në të e vë nën presion, por ai është shprehur i bindur se pavarësisht moshës së re ka pjekurinë për të mos u ndikuar nga pritshmëritë e larta.
“Simeone është një trajner që përçon shumë energji tek ekipi, është një motivues shumë i mirë, i tillë ka qenë dhe si lojtarë. Atletiko ka pasur shumë futbollistë të njohur portugez dhe unë dua të ndjek hapat e tyre dhe pse jo t’i kaloj dhe arritjet e atyre”.
“Shpresoj që të kap formën më të mirë dhe më pas gjithçka të mecë mbarë. Jam njeri që mendoj pozitivisht. Dua të punoj në mënyrë që të bëhem një ndër yjet e kësaj skuadre. Shuma për të cilën u pagua për mua, natyrisht që ndikon në disa gjëra, por jam kam pjekurinë e duhur për të përballuar presionin që vjen me këtë situatë. S’besoj se mosha ime e re do të jetë problem”.
“Nuk premtoj numra, ata s’do i premtoj kurrë, por premtoj që do të jap gjithçka për ekipin, e do bëj gjithçka ç’mundem, më pas të shohim si do shkojnë gjërat. Kur ndryshon një vend, duhet të përballesh me situata të reja, disa gjëra besoj se do i kem të thjeshta, por do ketë dhe aspekte të vështira”.