Xhusepe Marota është gati të bëjë goditjen e parë në merkato si drejtues i Interit. Administratori i deleguar i klubit zikaltër po punon për rinovimin me Mauro Ikardin. Kapiteni kërkon një rrogë prej 8 milionë eurosh në sezon, ndërsa Interi ofron deri në 6 të tilla. Distanca nuk është e vogël, por Marota kërkon qetësi dhe ka besim në arritjen e akordit me bomberin argjentinas.
Nga ana tjetër, dy emra po qarkullojnë si objektiv për mesfushën e Spaletit. Ëndrra e madhe vazhdon të mbetet Luka Modriç, por “Corriere dello Sport” zbulon dy opsione të tjera në listën e Marotës: Toni Kros dhe Sergej Milinkoviç-Saviç.
Gjermani i Realit është një mesfushor i madh, ka eksperiencë të madhe dhe është fitues (ka fituar 4 kampionate dhe 4 Champions Liga mes Bajernit dhe Realit, si dhe Kupën e Botës me Gjermaninë në vitin 2014). 28-vjeçari preferohet shumë nga drejtuesit e Interit, por Perez vështirë të heqë dorë nga shërbimet e tij. Kros ka një kontratë me Realin deri në vitin 2022, ndërsa klauzola e tij e largimit është… 300 milionë euro!
Megjithatë, fundi i sezonit mund të ndryshojë situatën dhe Interi shpreson të arrijë një akord me gjermanin. Nga ana tjetër pëlqehet dhe mesfushori serb i Lacios. Milinkoviç-Saviç është më i ri, përfiton një rrogë më të vogël, por Lotito dhe Tare kërkojnë shumë para për kartonin e tij.