Skuadra e Kukësit ka shpenzuar më shumë se të gjitha skuadrat e tjera në Superiore dhe ekipi i Cungut është përforcuar me Rrocën dhe Shkurtajn. E pikërisht transferimi e këtij të fundit, ka vënë në dyshim të ardhmen e sulmuesit mozambikas, Rexhinaldo, të cilit i skadon kontrata në fund të sezonit.
Flitet shumë për një largim të sulmuesit 28-vjeçar nga skuadra e Kukësit, por gjithmonë nëse vjen oferta e duhur. Te klubi verilindor janë të vendosur: Rexhinaldo do të transferohet vetëm jashtë, ose përndryshe qëndron deri në fund të sezonit. Presidenti Safet Gjici nuk ka ndërmend të përforcojë ndonjë ekip tjetër të Superiores, për më tepër ndonjë rival për titullin kampion.
Burime të “Sportekspres.com” pranë klubit të Kukësit konfirmojnë se kanë nisur bisedimet që Rexhinaldo të transferohet në Qipro, nga edhe ku kanë shfaqur interes për sulmuesin 28-vjeçar. Nuk dihet ende se cila skuadër është në bisedime me drejtuesit e Kukësit, por me shumë gjasa e ardhmja e Rexhinaldos është larg Shqipërisë.
VLADIMIR PRENGA