Stefan Efenberg nuk e priti aspak mirë vendimin e Joakim Lëv për t’i mbyllur derën e kombëtares tre lojtarëve me emër si Mats Humels, Zherom Boateng dhe Tomas Myler.
Ish-legjenda e Gjermanisë dhe Bajernit të Mynihut, Stefan Efenberg, ka komentuar vendimin e trajnerit të katër herë kampionëve të botës. 50-vjeçari ka vlerësuar mënyrën e komunikimit të lajmit, por kritikat nuk kanë munguar.
“Humels, Boateng dhe Myler nuk do të jenë më pjesë e kombëtares gjermane. Mendoj se Lëv bëri diçka të mirë që i takoi personalisht lojtarët, pasi më parë ka ndodhur që lojtarët ta marrin vesh këtë gjë nëpërmjet medieve. Gjithsesi, unë akoma nuk arrij ta kuptoj logjikën e vendimit dhe me siguri edhe të tre lojtarët mendojnë si unë. Le ta harrojmë çfarë suksesesh kanë arritur në të shkuarën dhe të shikojmë situatën në të cilën ata ndodhen për momentin”.
MYLER – “Myler për shembull ka treguar në muajt e fundit që mund të jetë një lojtar vendimtar për Bajernin edhe nëse nuk luan më rregullisht si më parë. Gjithmonë ka dhënë 100% për skuadrë, ndërsa në fitoren e kësaj fundajve ndaj Gladbahut (5 – 1), ai ishte i jashtëzakonshëm edhe pse kishte kohë që nk luante si titullar. Myler nuk është vetëm një lojtar që mund t’i bënte punë kombëtares, poer edhe një personalitet. Ai me stilin e tij të pazakontë u hap shumë punë kundërshtarëve, tani Lëv nuk e ka më këtë opsion”.
HUMELS DHE BOATENG – “Në javët e fundit ata dy e kanë ngritur shumë nivelin. Janë 30 vjeç dhe në kulmin e tyre. Unë shkova te Bajerni në të njëjtën moshë dhe synoja të fitoja gjithçka, pse duhet të jetë ndryshe për ata. Kemi lojtarë si Syle, Rydiger, Tah dhe Ginter. Të gjithë alternativa shumë të mira, por akoma nuk janë në nivelin e Humels dhe Boateng. Shpresoj që Lëv të mos vendoset në një situatë, kur për shkak dëmtimesh ose formës të dobët të detyrohet të tërheqë mbrapsht fjalët e tij në lidhje me ata të dy”, tha Efenberg.