Flamurtari njeh vetëm largime. Agustin Torasa dhe Elton kanë firmosur të Tirana dhe presin t’u bashkohet edhe Idriz Batha, kurse Emiljano Musta është prezantuar te Kukësi. Edhe një pjesë e mirë e lojtarëve të tjerë kanë oferta të rëndësishme dhe shumë shpejt do të vendosin për të ardhmen.
Njëri prej tyre është kapiteni Franc Veliu. Qendërmbrojtësi është tentuar fillimisht nga Gjilani, që drejtohet nga trajneri Gentian Mezani. Veç gjilanasve, në garë për të është edhe një klub tjetër. SportEkspres.com mëson se bëhet fjalë për Llapin.
Klubi nga Podujeva i ka bërë një ofertë të mirë dhe me shumë mundësi vlonjati do ta pranojë. Gjithsesi duhet pritur që të konkretizohet gjithçka. Veliu në Shqipëri është aktivizuar edhe me Kukësin e Partizanin, ndërkohë që në të shkuarën ka provuar të luajë edhe me kombëtaren.