Sulmuesi i PSG-së, Angel Di Maria dhuroi spektakël në rikthimin e tij në “Old Trafford”, duke dhuruar dy asiste dhe duke qenë protagonist në fitoren e skuadrës së tij 2-0 përballë “Djajve të kuq” të Mançesterit. Gjatë gjithë takimit, e sidomos në minutat e para të sfidës, argjentinasi u vërshëllye nga tifozët anglezë, por 30-vjeçari pranoi se këtë gjë e priste, duke pasur parasysh të shkuarën te Junajtid:
“Kam pasur probleme me trajnerin Van Gal, me asnjë tjetër. Falë Zotit u bë i mundur transferimi te PSG-ja, ku jam rikthyer në formën time më të mirë. Në “Old Trafford”, e dija që nuk do të kisha një pritje miqësore.
Isha i përgatitur për këtë gjë, edhe pse unë vetë nuk kam folur asnjëherë keq për Mançester Junajtid. Minutat e para ishin më të vështirat, por e gjithë skuadra qëndroi e bashkuar dhe në fund ia dolëm të gjithë së bashku. Gjatë kohës kur luaja këtu, kanë ndodhur disa gjëra që janë keqkuptuar nga opinioni i gjerë, por tani kam lënë gjithçka pas dhe jam i lumtur te PSG”,- përfundoi Di Maria.