E konfirmuar: Shehu “dem i kuq”, ka mbetur vetëm firma

Partizani përforcon mesfushën, teksa afron një element të perspektivës si Julian Shehu. Mesfushori, i cili spikati me Kastriotin sezonin e fundit, duke arritur të fitonte edhe një vend titullari me Shqipërinë U21, parimisht ka një marrëveshje me “demat e kuq”.

Momentalisht mungon vetëm firma dhe zyrtarizimi, ndërkohë që për Sportekspres.com, administratori i klubit krutan, Gazmend Vogli, ka deklaruar se parimisht mes palëve ka një marrëveshje dhe shumë shpejt do të vijë edhe zyrtarizimi.

“Parimisht kemi rënë dakord me Partizanin për Julian Shehun, por ende nuk e kemi zyrtarizuar. Kemi edhe disa detaje në kontratë, por e mendoj të përfunduar”, është shprehur Vogli shkurtimisht. Julian Shehu luajti 31 ndeshje me fanellën e Kastriotit në sezonin e kaluar, ndërkohë që shënoi edhe katër gola.

Ai shikohet si një afrim shumë i rëndësishëm te Partizani, ndërkohë që krutanët do të përfitojnë financiarisht nga kjo lëvizje. Me shumë mundësi ata do të mbajnë edhe 20% të kartonit, një nga kushtet e vendosura që në fillimin nga Kastrioti.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *