Dosti: Gega ktheu dinjitetin, Asani ka një defekt. Ju tregoj “bingon” e merkatos!

Luan Laçi-Partizani dhe për Edmond Dostin është një sfidë speciale. “Ju e dini, unë i kam të dyja ekipet në zemër. Partizanin e dua kampion, Laçin në Kupat e Europës”, të thotë menjëherë ish-sulmuesi i Partizanit, kampion dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit në sezonin 1992-1993. “Mokja”, siç e thërrasin në Tiranë, Laç apo edhe në Krujë, ku ka çuar peshë tifozët me golat e tij, është i kënaqur me ecurinë e “Demave” këtë sezon.

Dëshira është e madhe për ta parë kampion ekipin e kuq  dhe shumëkush e ka imagjinuar Partizanin me një sulmues tipik në majë. Gjithsesi, trajneri Skënder Gega e ka parë të udhës të përshtatë Jurgen Bardhin si “pykë”. I riu nga Fushë-Kruja e ka mbuluar edhe më parë atë pozicion dhe po bën punë të mirë.

Dosti fillimisht i jep meritat trajnerit: “Gega ka bërë një punë shumë të mirë dhe është për t’u përgëzuar, pasi i ka kthyer dinjitetin Partizanit. Unë e njoh që kur ka ardhur te Partizani, madje mund të them se ka mbetur i njëjtë: një njeri që flet pak nëpër TV, shumë punëtor, me një karakter fitues dhe egoist (në kuptimin e mirë të fjalës). Diçka që merr përsipër ai e bën dhe këtë frymë ia ka transmetuar edhe ekipit. Për mua është një lider, si brenda dhe jashtë skuadrës”.

SULMI – Më pas, Dosti kalon te pozicionimi i Bardhit në majë të sulmi: “Trajneri po i merr më të mirën në atë pozicion, edhe pse unë do të kisha dashur një sulmues race tipik, një lojtar pykë, një numër ‘9’-sh siç i themi zakonisht”. Sulmi i Partizanit nuk ka pika referimi. Mala e Asani ndryshojnë shpesh krahët, kurse Bardhi në ndonjë ndeshje luan edhe si sulmues i dytë.

Shpejtësia e treshes së bekuar me inicialet “BAM”, por edhe cilësitë teknike, kthehet në një rrezik konstant për kundërshtarët në fushën e blertë. “E thashë edhe më parë, Gega ka bërë një punë shumë të mirë dhe ka marrë një vendim të drejtë duke luajtur me treshen Mala-Asani-Bardhi. Ky i fundit ka fituar një pjekuri për t’u admiruar dhe po jep më të mirën si sulmues i parë, edhe pse nuk është pozicioni i vet”, shprehet ish-sulmuesi për SportEkspres.com.

FITORET E NGUSHTA  – Dosti nuk ka komplekse dhe pranon që Partizani të vazhdojë të fitojë me rezultatin 1-0, pasi edhe kështu shkohet te titulli. Ish-sulmuesi ka një “recetë” edhe për këtë pjesë, teksa këshillon Asanin që të bashkëpunojë më shumë me shokët e skuadrës.

“Titulli fitohet edhe me 1-0. Partizani është një ekip i ndërtuar mirë, po i merret maksimumi. Ndeshja e fundit, sidomos në 45 minutat e dyta, më pëlqeu. Një takim mjaft i mirë, jo nga ata që të vrasin sytë. Dua të them diçka: Asani është pak individual. Ndoshta pak më shumë seç duhet. Duhet të luajë më shumë me ekipin dhe kështu do zgjidheshin me shpejt ndeshjet. Po të jetë më i shpejtë në dhënien e topit dhe  asiste, do ishte më mirë. Pastaj do vinin edhe golat”.

SIGURIA NGA PRAPAVIJA – Partizani është ekipi me mbrojtjen më të mirë, teksa të kuqtë janë ndëshkuar vetëm 9 herë në 21 takime. Për Dostin është një ndihmë e madhe për lojtarët, që kanë fituar sigurinë dhe sulmojnë pa kthyer kokën pas. Fjalë të mira për afrimin e janarit, Lum Rexhepin.

“Nuk mund të harroj portierin Alban Hoxha dhe mbrojtjen, pasi janë ata që e mbajnë rezultatin 0 mbrapa. Duke ndodhur kjo, i vijnë në ndihmë edhe sulmit, që është më i lirshëm për shkak të sigurisë që i ofrohet. Veçoj Lum Rexhepin, që u dëmtua me Kastriotin. Për mua është një ‘bingo’ në merkato. Është një lojtar që e njeh lojën, luan me topin, i qetë dhe jep siguri. Padyshim ishte ai që i duhej Partizanit.

STRATEGJIA E RE – Trajneri Gega nuk e ka përmendur titullin këtë sezon. Mendohet ndeshje pas ndeshjeje dhe Dosti e sheh si diçka pozitive këtë pjesë. Gjithashtu, ai veçon edhe faktin që në klubin e kuq sivjet nuk janë marrë me polemika. Vitet e shkuara ato kanë qenë të shumta dhe në njëfarë mënyrë edhe e kanë shpërqendruar ekipin.

“Duhet që te Partizani të jenë me këmbë në tokë, mos të dëgjohen shumë. Është krijuar një frymë kundër,  ka shumë nga ata që nuk ndihen mirë pse Partizani është i pari. Profesor Skënderi e ka mençurinë dhe eksperiencën për ta mbajtur ekipin me këmbë në tokë”.

Që në fillim, kur kam dhënë intervistat e para, e kam thënë se Partizani është për kampion. Një lëvizje e mirë e klubit ka qenë se nuk po bëhen me polemika, as me Federatën, as me arbitrat. Tani po merren me shtëpinë e vet dhe kjo është diçka pozitive. Bravo edhe presidentit, që ndryshe nga rivalët, nuk del me deklarata ngacmuese”.

LOJA DHE TELUSHI – Dosti thekson se Partizani i këtij viti është krejtësisht ndryshe nga ai i një viti më parë. “Loja ka ndryshuar 100%  nga vjet. Ke qejf t’i shohësh në fushë dhe përgatitja fizike është shumë e mirë, madje mund të them se Partizani në këtë aspekt është më lart se të tjerët.

Telushi? Ndeshje pas ndeshje po tregon se është lider. Është një lojtar që gjuan me të dyja këmbët, e njeh portën, godet nga çdo pozicion. Po vazhdoi kështu, duke u rritur, them se e meriton të marrë një ftesë edhe nga kombëtarja”, ka përfunduar ish-sulmuesi i të kuqve.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *