Amerik Laporte është një nga mbrojtësit më të shtrenjtë në historinë e futbollit. Mançester Siti e mori janarin e sezonit të shkuar nga skuadra e Atletiko Bilbaos, duke paguar klauzolën e tij. Pasi festoi një vit si “Qytetar”, Laporte ka rrëfyer ditët e tij të vështira në “Etihad”, titullin kampion të fituar, punën me Guardiolën dhe shumë gjëra të tjera.
Guardiola është trajneri më i mirë në botë dhe mbrojtësi francez nuk ngurron asnjëherë ta thotë këtë gjë. Siti fitoi titullin kampion sezonin e shkuar duke thyer shumë rekorde dhe duke u konsideruar si skuadra angleze më e mirë e të gjitha kohërave. Vetë Laporte, pati shumë vështirësi me ambientimin dhe me disa dëmtime, të cilët e lanë jashtë fushave për shumë kohë.
Megjithatë, Laporte nuk pendohet asnjëherë që zgjodhi të firmosë për “Qytetarët”: “Kam kaluar një vit me shumë ulje-ngritje, me momente për tu harruar dhe me ato që do t’i kujtoj gjithmonë. Të punosh çdo ditë me Pep Guardiolën është diçka e jashtëzakonshme. Titulli kampion është padiskutim arritja më e madhe për mua.
Më vjen keq që nuk isha me kombëtaren, pasi doja realisht të isha pjesë e atij ekipi fitues. Gjithsesi, e kuptoj se nuk bëra një sezon të mirë, por tani jam rikthyer më i fortë se kurrë. Tani do të luaj në çdo pozicion të fushës dhe më mjafton fakti që trajneri do të ketë besim tek unë”,- u shpreh mes të tjerash mbrojtësi.