Ardhja e Daniele De Rosit ka sjellë entuziazëm të madh te Boka Zhuniors dhe tifozët e saj të zjarrtë. Ish-kapiteni i Romës i befasoi të gjithë me zgjedhjen e bërë, duke kryer një farë “revolucioni”.
Të gjithë tentojnë të lënë ekipet jashtë kontinentit për të luajtur në Europë, ndërsa 35-vjeçari kreu një zgjedhje zemre. Mikpritja në Buenos Aires ka qenë fantastike. Lojtari i është bashkuar ekipit në stërvitje, aty ku ka takuar dhe Mauro Zaraten.
Sulmuesi ka qenë pjesë e “armiqve” të Lacios për katër sezone dhe duelet e derbit të kryeqytetit italian kanë qenë të zjarrta si gjithmonë. Ish-lojtari bardhekaltër ka postuar në faqen e tij në rrjetet sociale një foto me De Rosin, ndërsa vendos të shkruajë këto rreshta.
“Vite plot rivalitet në kryeqytet, tani do të luftojmë së bashku, mirësevjen Daniele (gjithsesi, Forca Lacio përgjithmonë)”, shkruan Mauro Zarate.