Eusebio Di Françesko po shijon pushimet. Trajneri ndodhet pa punë që nga 7 marsi i këtij viti pas shkarkimit nga Roma. Ai nuk arriti të mbyllte sezonin e dytë në stolin verdhekuq, edhe pse dërgoi ekipin kryeqytetas në gjysmëfinalet e Champions Ligës sezonin e kaluar pas plot 34 vitesh, madje të mos ishte për disa gabime arbitrare, Roma do luante në finalen e madhe të Kievit kundër Realit.
Di Françesko ka përfituar për të udhëtuar në fundjavë drejt Spanjës, konkretisht në Andaluzi. 49-vjeçari ka ndjekur nga afër derbin Sevilja-Betis dhe ka takuar Monçin, mikun e tij me të cilin punoi te Roma.
Të dy bashkë kanë diskutuar edhe për mundësinë e uljes së Di Françeskos në stolin e Seviljes. E gjitha në kuadër të një bisede normale, edhe pse drejtori sportiv spanjoll do preferonte shumë t’ia besonte këtë rol italianit. Ky i fundit duhet të gjejë akordin me klubin spanjoll dhe të fitojë konkurrencën me Havi Gracian, trajnerin e Uotfordit në Premier Ligë.