Zyrtarizimi nuk ka ardhur akoma, por Lukas Paketa do të transferohet te Milani në janar për shumën e 35 milionë eurove. Talenti brazilian po kalon një formë të shkëlqyer me Flamengon dhe ka shënuar deri më tani 10 gola në 26 ndeshje të zhvilluara. Në një prononcim për “Coluna de Flamengo”, 21-vjeçari është shprehur entuziast për kalimin tek ekipi i “Djallit”, por nuk mund të komentojë më gjatë.
Ai ka një objektiv për të realizuar përpara se të marrë avionin drejt Milanos. Dëshiron titullin kampion për të lumturuar tifozët dhe për t’u larguar pa pengje. Flamengo renditet në vendin e dytë, me katër pikë më pak se Palmeiras.
Kampionati ka dhe tetë javë për të përfunduar, ndërsa java e ardhshme do të përcaktojë shumë sa i përket luftës për titull. Luhet Flamengo-Palmeiras dhe një fitore e ekipit të Paketës do të çonte në një pikë diferencën mes dy ekipeve.
“Nuk mund të flas shumë për shkak të çështjeve të kontratës, por jam i lumtur dhe entuziast. Po kaloj një moment pozitiv dhe plot gëzim. Ëndërroj t’iu dhuroj kampionatin tifozëve të Flamengos, përpara se të largohem“, komenton shkurt Lukas Paketa.
Nga ana tjetër, “Coluna de Flamengo” zbulon se Milan ka paguar 5 milionë euro në arkat e Flamengos për Paketën, ndërsa 30 milionë eurot e tjera do të paguhen me tre këste midis viteve 2019 dhe 2020.