Klubi i Teutës zyrtarizoi ditën e premte shitjen e sulmuesit Latif Amadu te skuadra e bjelloruse e Shakhtjor Soligorsk. Megjithatë së fundmi, situata ka marrë një kthesë 180 gradë. Sipas “Supersport”, marrëveshja për transferimin e sulmuesit ka dështuar.
Shkak për këtë situatë të papritur është bërë një ndryshim i metodës së mënyrës së pagesës së shumës prej 150 mijë eurosh që Teuta kërkonte, ndërsa nuk është gjendur as gjuha e përbashkët midis ganezit dhe klubit të Shakhtjotir për kushtet personale.
Klubi Bjellorus kishte rënë dakord për të paguar 150 mijë euro për kartonin e Latif, por për të shlyer të gjithë shumën, Shakhtjor ka kërkuar që këstet të shtrihet deri në vitin 2020. Nga ana tjetër në kontratën që i është ofruar lojtarit, ka qenë sa gjysma e asaj që ai përfitonte te skuadra durrsake.
Duke parë situatën e krijuar, Teuta dhe Latif kanë vendosur të vijojnë bashkëpunimin dhe ganezi do të vihet sërish në urdhrat e Bledi Shkëmbit.