Derbi, historia dhe një përgjigje për Alban Hoxhën, Mema: Nuk e kemi mendjen te festa e të tjerëve!

Partizani dhe Tirana do të përplasen nesër në derbin e kryeqyetit, me dy ekipet që luftojnë në skaje krejtësisht të kundërta. Të kuqtë kërkojnë të festojnë titullin, ndërsa Tirana është në vallen e mbijetesës. Në kuadër të takimit për mediat ka folur trajneri i bardhebluve Ardian Mema, i cili u shpreh: “E kemi përgatitur ndeshjen dhe do luajmë për tre pikë. Na nevojiten pikët dhe kjo është më e rëndësishmja për ne. Gjithsesi, gjithçka do të tregojë fusha dhe loja e nesërme. Do bëjmë maksimumin për të marrë pikët dhe të shohim përpara.”

ANA PSIKOLOGJIKE DHE PRESIONI I DERBIT – “Si anë psikologjike është e mirë, pasi vijmë nga dy fitore radhazi. Presioni në derbi është gjithmonë. Sido që të ishte renditja do të kishte presion. Është ndeshje historike dhe janë dy ekipe të mëdha.”

LUMTURIA E PRISHJES SË FESTËS SË PARTIZANIT – “Ne lumturohemi nga rezultati jonë. Nuk më shqetëson pjesa e kundërshtarit. I bëj yzmet punës dhe ekipit tim. Nuk luajmë për të prishur festën e Partizanit, por për veten tonë. Kemi problemet tona dhe janë evidente.”

FITORJA NË DERBI – “Tirana ka kohë që nuk fiton ndaj Partizanit dhe do të ishte një dhuratë për këtë fund sezoni për tifozët.”

EKIPI – “Kam qenë duke bërë analizën me skuadrën. Problemet kanë qenë evidente, siç i kam parë në fushë. Duhet të bëjmë riparimet e duhura, pa parë kundërshtarin. Nëse skuadra jonë do luante me përqendrim, nuk do flisnim fare për mbijetesën tani. Duhet një analizë edhe për vetë lojtarët, që të përmirësohen dhe të bëjnë përpara, ashtu si duhet të bëj unë analizë për veten dhe klubin.”

ALBAN HOXHA NUK DO RËNIEN E TIRANËS – “Po të ishim në role të kundërta, edhe unë ashtu do thosha. Tirana e Partizani, përtej rivalitetit në derbi, kanë bërë historinë e njëra-tjetrës. Historia shkruhet nëpërmjet fakteve dhe dueleve ndër vite, Partizani-Tirana ka qenë ndër më të mëdhenjtë.”

PËRZGJEDHJET E LOJTARËVE DHE MERKATOJA E TIRANËS –  “Në fund të sezonit do të bëhet një analizë e thellë, për të kuptuar gabimet që kemi bërë dhe për të mos i bërë në të ardhmen.”

MUNGESAT E PARTIZANIT “Ka goxha elemente të mirë, përtej mungesave, që janë shumë të rëndësishme. Mensah e doja në janar, por nuk u arrit marrëveshja. Po ashtu, Asani është lojtar që më pëlqen shumë, ashtu si Telushi. Është favor për Tiranën që Partizani ka këto mungesa dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë moment.”

TIRANA SHPESH FAVORITE NË DERBI, POR ASNJË FITORE PREJ VITESH – “Nuk e di këtë, është subjektive. Këtë vit kemi humbur një derbi që nuk duhej ta humbnim, kemi barazuar në një ndeshje që mund ta fitonim. Fjala favorit në derbi nuk ka shumë vlerë, mendoj se përqendrimi maksimal jep rezultat në derbi.

Nuk ka favoritë, është presion artificial kur flitet për favoritë ose jo. Karikimi është i detyruar, por favoritin e vendos fusha. Jemi duke luajtur mirë prej disa ndeshjesh, duke përfshirë ndeshjet ndaj Luftëtarit, që e ka mundur bindshëm Partizanin. Kemi gabuar në disa momente në mbrojtje, si shpesh këtë sezon, por nesër ekipi do jetë i karikuar mirë, vetiu, pa qenë nevoja të flas unë.

PARTIZANI THUAJSE KAMPION, FAVOR PËR TIRANËN? – “Nuk e mendoj kështu, Partizani ka kalendar shumë të vështirë dhe nuk pres asnjë dhuratë. Tiranës nuk i ka falur askush asgjë, nuk pres të ndryshojë gjë. Kemi Partizanin dhe Kastriotin përpara, këto janë finalet tona. Nëse dalim mirë në këto dy ndeshje, gjithçka merr për mbarë dhe do të mendojmë më pas për finalen e kupës, që është mundësia e madhe për të shkuar në kupat e Europës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online