Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, foli në një dalje për shtyp, ku preku çështjen e dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti. Zyrtari i Federatës, kërkoi që akti të dënohej ashpërsisht nga komisionet përkatëse dhe instancat shtetërore, ndërsa kërkoi me ngulm rikthimin e forcave të policisë në stadiume.
“Ne e shikojmë të pamundur vazhdimin e aktivitetit pa prezencën e policisë së shtetit. Do të kërkojmë të bëjmë takime me krerët e policisë së shtetit për të parë reagimin e tyre. Ligji e thotë qartë, neni 51, pika 1 e thotë se policia e ka detyrim institucional për të garantuar sigurinë në eventet sportive”.
“Po shkojmë drejt fundit të kampionatit dhe tensioni do të rritet, pasi do të vendoset se kush ekip do bie nga Kategoria dhe kush do të shkojë në Kupat e Europës. Pa policinë nuk mund të vazhdojmë. Në biseda që kam pasur disa me policë, më kanë thënë se i marrin nga shtëpitë dhe i mbajnë për 4 orë jashtë ambienteve të stadiumit. Shteti duhet të bëhet palë më ne, nëse dëshiron që futbolli të vazhdojë”.
DËNIMI I KAMZËS – “Për momentin askush nuk e di se çfarë dënimi do të merret. E përsëris këto raste duhet të dënohen me ashpërsi maksimale”, përfundoi Shulku.