Veterani dhe kapiteni i Romës, Daniele De Rosi ka zbuluar për mediat italiane se do të vazhdojë të luajë për skuadrën kryeqytetase deri sa trupi i tij t’i thotë “jo”!
35-vjeçari pak e nga pak po lë pas dëmtimin që pësoi në tetor të vitit të shkuar dhe është rikthyer në seancat stërvitore. Me shumë gjasa, De Rosi do të luajë në takimin kundër Portos në Ligën e Kampionëve.
Para ndeshjes kundër ekipit portugez, kapiteni romak foli për shumë gjëra, por fokusin më të madh e mori përgjigja e tij pasi u pyet për të ardhmen. De Rosi tha:
“Gjithmonë e kam thënë: Me Romën luaj deri sa trupi të mos më përgjigjet më! E rëndësishme për momentin është që shokët ende më besojnë, trajneri ende më beson. Në dy vitet e fundit, jam ndier shumë i rëndësishëm te klubi ku e konsideroj “familje” dhe kjo gjë vetëm prej shokëve që kam këtu, të cilët nuk më kanë lënë asnjëherë vetëm”,- përfundoi italiani.
De Rosi i është bashkuar Romës në vitin 2000 si një adoleshent, ku u rrit dhe u shndërrua në një nga mesfushorët më të mirë në Serie A. Me fanellën e verdhekuqve, 35-vjeçari numëron 452 ndeshje, si dhe 42 gola.