Flamurtari i Ilir Dajës arriti të merrte një tri pikë shumë të vlefshme nga transferta në Gjirokastër. Tekniku i vlonjatëve ka folur për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, ku ka vlerësuar skuadrën e tij, por Daja theksn se skuadrës së tij duhet akoma dhe shumë punë për të vënë në lojë idetë e tij.
“Në tre javët e para jemi ndeshur me dy nga skuadrat që kanë luajtur në kupat e Europës dhe kanë qenë më përpara në aspektin fizik. Jemi paksa me vonesë për shkak se kemi nisur më vonë me përgatitjet, por skuadra është në rritje, po kompletohet dhe po shtohet rivaliteti për një vend në formacion.
Fjala titull? – Nuk është besëtytni që nuk e përmendim, thjesht i marrim ndeshjet me radhë, duke parë javë pas jave. Më pëlqen dëshira dhe mentaliteti fitues i skuadrës, lojtarët po punojnë si grup, duke mësuar të vuajnë për të arritur fitoren.
Interpretimi i lojës? – Kemi gjëra për të përmirësuar, në momentin kur jemi në avantazh sidomos. Për shkak të mungesës së disa lojtarëve në linjën e parë të sulmit, si Torasa, Danilo Alvesh e Kale, kemi pasur probleme, por sërish kemi bërë mirë në aspektin e rezultatit deri tani. Nëse përmirësohemi edhe në aspektin sulmues dhe të administrimit të rezultatit, atëherë mund të themi që ky është Flamurtari që duam.
Rënia në pjesën e dytë? – Nuk ishte problem fizik, por taktik dhe këtu marr unë përgjegjësi, sepse skuadra shpenzoi shumë energji kot dhe bëmë disa gabime që na vendosën në vështirësi. Duhet të përmirësohemi në aspektin e menaxhimit të ndeshjes dhe në këtë aspekt jemi pak të justifikuar, sepse jemi ende në punë e sipër.