Daja: Shumë pak lojë efektive, Torasa nuk e kishte me zëvendësimin

0

Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, analizoi humbjen e të tijve në ndeshjen me Partizanin. Në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport ai vuri në dukje edhe faullet e shumta, që i penalizuan ekipet për të bërë lojë efektive. Nuk mungoi një koment edhe për flakjen e fanellës nga Torasa.

“Nuk duhet t’i dramatizojmë gjërat. Nuk jemi paraqitur mirë në pjesën e parë, por edhe si pasojë e fillimit të mirë të Partizanit. Të gjitha rastet e kundërshtarëve, ishin pas topave tanë të humbur. Kishim shumë tension dhe manovra ende nuk është e konsoliduar. Kemi patur edhe probleme me gjendjen jo të mirë të Torasës, Alvesh ka ardhur me vonesë, mungesa e Allës. Kemi patur tre lojtarë, njëri 17 vjeç dhe njëri 19, Deliaj, që nuk e kanë eksperiencën për përballje të këtij niveli”.

“Provuam të reagonim në pjesën e dytë. Kemi shfaqur dy fytyra sot, si pasojë e stresit psikologjik. Në pjesën e dytë e mbajtëm kundërshtarin në gjysmëfushën e tyre. Këtu kam një problem me arbitrat, që kanë dhënë shumë faulla dhe kemi shumë lojë jo-efektive. Kjo duhet të ndryshojë te arbitrimi”.

“Lëvizjet nuk janë bërë të pamendura. Donim ti jepnim më shumë thellësi veprimeve sulmuese. Beqaj ka luajtur si titullar në tre-katër ndeshje dhe mendoj se ka potencial fizik, pavarësisht se sot kishte një rival si Trashi me shumë eksperiencë. Janë lojtarë që me më tepër eksperiencë do ti shërbejnë shumë ekipit, si titullarë apo për të shtuar rivalitetin brenda grupit”.

“Gabimet në mbrojtje? Edhe pse ka shumë bagazh, Pollozhani nuk është në pozicionin e tij natyral si qendërmbrojtës. Kristi ka ardhur në fundin e merkatos dhe ka ende probleme me përshtatjen. Mungesa e Allës është një tjetër problem. Kemi çaluar në mbrojtje në këto dy ndeshje, por këtu e vendos theksin te ana psikologjike, sepse kanë qenë disa topa rresht të humbura nga mbrojtja jonë, duke i dhënë entuziazëm kundërshtarit. Kështu ndodhi në golin e parë të pësuar. Gjithsesi, nuk duhet ta shohim gotën gjysmë-bosh. Do të përmirësojmë gjërat që duhet të përmirësojmë dhe të kthejmë besimin, si individual të lojtarëve dhe për manovrën gjatë gjithë ndeshjes. Pavarësisht dy humbjeve në këto dy javë, nuk ka ndodhur asgjë, duhet të shohim përpara. Duhet të besojmë të gjithë bashkë dhe që tifozët të na mbështesin në mënyrë që të vazhdojmë të rritemi”.

Alvesh pozicioni i ri si Muzaka? Jo, Danilo nuk luan në zona të vogla, por donim që edhe Bushiç të kishte mbështetje nga më pranë, diçka që ka ndodhur në javët e kaluara: Në fazën e sulmit ishim 4-3-3. Duke qenë se kishim dy lojtarë në krah, si Beqaj e Torasa, menduam që me Bushiç dhe Alvesh afër të ushtronim forcë që ata të shkonin sa më shpejt në portën kundërshtare. Nuk e realizuam dot në pjesën e parë, por në pjesën e dytë”.

“Tensioni i Torasës? Nuk kam asnjë koment… Nuk e kam parë. Nuk e besoj e ka patur reagimin me ndërrimin, por me gjendjen shëndetësore dhe me kaviljen”.

“Kontestime te faulli i golit të dytë? Nuk më intereson se çfarë dha arbitri, faulle apo korne, sepse gjykimi mu duk i drejtë. Por, ajo që tentova të përcillja është se nuk ka lojë. Nuk kam patur tension për faullin, por sepse kërkonim të kishte minutazh loje. Jo të ketë çdo dy minuta shtrirje të lojtarëve. Në këtë sens arbitrat duhet të dinë të menaxhojnë, kur duhet të ndërhyjnë mjekët, apo kur duhet të vazhdohet të luhet futboll”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.