Sulmuesi i Shqipërisë, Sokol Cikalleshi, shënoi golin e parë në sfidën përballë Moldavisë. Pas ndeshjes, bomberi foli për Supersport, ku u shpreh:
“Të them të drejtën, më lumturon më shumë fitorja se goli, pasi ishim në situatë delikate pas humbjes me Islandës. Sot jam dyfish i lumtur, për fitoren dhe për golin. Ndihem shumë mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. E kam thënë dhe pas ndeshjes me Islandën, kemi punuar shumë mirë me trajnerin e ri. Me ardhjen e tij, kanë ndryshuar mekanizmat e lojës. Sot ia dolëm të shënonim, ishte e rëndësishme, pasi Moldavia u mbyll mbrapa.
Jam shumë i lumtur për golin, por edhe për rikthimin e Roshit, që kishte një vit pa luajtur. Sinqerisht, ndihem shumë mirë pasi në radhë të parë fituam, pastaj edhe që shënova. Është e vërtetë, unë jam gjithmonë me këmbë në tokë, nuk është se me një gol kam arritur diçka madhore, absolutisht që jo. Unë besoj në punë të palodhshme dhe gjithmonë kam punuar.
Jam munduar gjithmonë të ndihmoj ekipin dhe bëj gjithmonë atë që me kërkohet. Sigurisht që duhet të shënoj më shumë, por ajo që është më e rëndësishme është që ekipi të arrijë rezultatet. Sot prandaj jam shumë i lumtur, pasi ekipi arriti te fitorja. Doja me gjithë zemër që ne 4 sulmuesit të gjenim golin. Ndihemi shumë mirë, kemi ndihmuar njëri-tjetrin.
Dedikimi i golit? Sigurisht që pas shënimin të golit, pata një festim që ishte për Kornelian, gruan time, por dhe për familjen time. Ia dedikoj dhe të gjithë tifozëve. Ne ndihemi mirë, e ndjejmë mbështetjen tuaj si media”, përfundoi Cikalleshi.