Cikalleshi: Ndihet fillimi i diçkaje të re, ta konkretizojmë punën në dy ndeshjet e radhës!

Kombëtarja jonë vijon përgatitjet për dy sfidat ndaj Islandës dhe Moldavisë. Në kuadër të ndeshjeve, në konferencë për shtyp ka folur Sokol Cikalleshi, i cili ka diskutuar mbi disa tema.

28-vjeçari i Akhisarspor tregon emocionet e rikthimit, ka një koment për trajnerin e ri dhe analizon transfertën vikinge kundër Islandës.

“Të jesh është pjesë e Kombëtares është kënaqësi dhe kontributi për të është një nder. Kështu do jetë gjithnjë, ndjehemi mirë dhe po punojmë me intensitet të lartë. Me ardhjen e trajnerit të ri punojmë shumë mirë, uroj që këtë punë ta shfaqim në ndeshjen kundër Islandës.

Në dy grumbullimet e fundit kam qenë i dëmtuar, ftesa më ka ardhur, por kam qenë i dëmtuar. Tashmë jemi në kapitull të ri dhe është më mirë ta lëmë pas të shkuarën”.

“Duke iu referuar sistemit të ri, duket se sulmuesit janë më të avantazhuar për të luajtur. Nga katër që jemi luajnë dy, por nuk është përfundimtare. Nuk kemi probleme kush luan, kushdo që ka luajtur e kemi mbështetur. Kur ka luajtur Balaj, Sadiku apo Uzuni, kanë pasur mbështetje. Ajo që është më e rëndësishme, është që kjo harmoni e re që është krijuar do të na ndihmojë në ndeshjet e radhës. Edhe pse futbolli nuk është matematikë, por ndihet diçka e re, një fillimi i ri. Shpresoj ta konkretizojmë me Islandën dhe Moldavinë.

Unë kam shënuar 2 gola dhe shumë shtylla, por nuk kam ngelur asnjëherë i pakënaqur. Më kënaq rezultati, duke qenë se luajmë me dy sulmues, shanset janë më të mëdha për të shënuar. Qëllimi kryesor është rezultati pozitiv, pavarësisht kush shënon.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *