Xhenaro Gatuzo zyrtarizoi largimin e tij ditën e djeshme nga Milani. 41-vjeçari tregoi edhe njëherë dashurinë e madhe që ndjen për kuqezinjtë. Gatuzo nuk u bë barrë, një si ai nuk mund të bëhet. Jo vetëm kaq, pasi trajneri kalabrez hoqi dorë edhe nga dy vitet kontratë me Milanin, që përkthehet ndryshe heqje dorë nga disa milionë euro!
“Historia ime me Milanin nuk mund të jetë kurrë një çështje parash”, u shpreh Rino, duke emocionuar edhe njëherë gjithë tifozët e “Djallit”, por edhe ata që e dashurojnë me zemër lojën më të bukur me top. Që për fat të keq, ka shumë pak persona si ai brenda…
Pepe Reina ka reaguar pas largimit të trajnerit. Portieri spanjoll ka zgjedhur fjalë të bukura për ish-trajnerin e tij, të cilit i dërgon urimet më të mira.
“Në futboll rrallë mund të gjesh njerëz të tillë. Çdo gjë në këtë botë është sipërfaqësore dhe kalimtare, por ti je komplet diçka tjetër, një racë tjetër. Vlerat e një burri të vërtetë të dallojnë nga pjesa tjetër. Të falenderoj nga zemra dhe të uroj shumë fat ty dhe familjes tënde të mrekullueshme.”