Çalhanoglu i dashuruar pas Milanit, vjen “asisti” i parë për Higuainin

0

Hakan Çalhanoglu është një nga lojtarët më të dashur të Milanit. Turku i mesfushës nuk përton të ndajë çdo gjë me fansat e tij dhe këtë e pranon edhe në një prononcim të dhënë për “Milan Tv”, teksa shprehet: “Unë kam një marrëdhënie të mirë me rrjetet sociale, edhe me Facebook dhe Instagram. I përdor shpesh për t’u treguar tifozëve tanë ato çfarë bëjmë në jetën private”.

Mesfushori bën një koment për afrimet e fundit në merkato, por edhe për largimin e Bonuçit. “Jam shumë i lumtur që në ekip kanë ardhur Higuain dhe Kaldara, por në të njëjtën kohë jam i trishtuar për largimin e Bonuçit, një njeri i mirë dhe një lojtar i madh. Unë jam i gatshëm ta furnizoj me asiste Gonzalon. Në këtë kampionat duam të bëjmë më mirë se vjet, kemi më shumë cilësi se vjet dhe duam të rritemi”, shprehet Çalhanoglu.

Më tej, i pyetur mbi pozicionin e tij në fushë, mesfushori shton: “Kam luajtur si mesfushor në këto dy ndeshje miqësore dhe më pëlqen ky pozicion. Mendoj se kam bërë ndeshje të mira, por në fund për pozicionin tim në fushë është trajneri ai që vendos”.

Çalhanoglu është lidhur me Milanin dhe qytetin dhe këtë e thotë hapur: “Dua të punoj shumë, pasi Milani është një familje për mua, më ka qëndruar pranë në momentin që unë kisha nevojë. E dua Milanin, i dashuroj tifozët dhe qytetin. Dua të shënoj më shumë dhe të jap sa më shumë asiste”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.