Të gjithë napolitanët presin gjithë “kërshëri” ardhjen e një prej lojtarëve më me klas në botë, Hames Rodrigez. Kolumbiani do të largohet nga Reali këtë verë, ku erdhi pas huazimit dyvjeçar te Bajern. Flitet shumë se kolumbiani dëshiron të bashkohet me Ançelotin në Serie A.
Madje raportohet se marrëveshja është në hapa të avancuar. “ESPN” është ajo që i përgënjeshtron të gjitha ato që janë thënë deri tani. Sipas gjigantit mediatik, dëshira e Hames nuk është Napoli dhe bashkimi me Ançelotin.
28-vjeçari dëshiron një kalim te rivalët e qytetit, Atletiko Madrid. Këto të fundit po bëjnë hapa shumë të mirë në rritjen e skuadrës pas gjithë atyre ikjeve. Blerjet nuk pushojnë dhe si duket objekivi i radhës në “Wanda Metropolitano” është Hames Rodrigez.
Favori i spanjollëve është edhe se mund të ofertojnë një shifër më të madhe se italianët, duke parë milionat e ardhura nga shitjet e Grizman dhe Rodrit. Bëhet fjalë për një shumë prej rreth 42 milionë euro.