Boka Zhuniors po përgatitet për një merkato të madhe në verë. Synimi i presidentit Angeliçi është rikthimi i disa lojtarëve argjentinas në vendlindje.
Sipas raportimeve të “Fox Sports”, objektivi kryesor quhet Lukas Bilja. 34-vjeçari i Milanit pëlqehet shumë nga drejtuesit e “Xeneizes”. Mesfushori luan prej vitit 2006 në Europë, atëherë kur la Independienten për t’u transferuar tek Anderlehti.
Më pas kalimi në Itali te Lacio, aty ku qëndroi katër sezone. Bilja u transferua te Milani në verën e vitit 2017. Ky sezon është karakterizuar nga dëmtimet dhe lojtari numëron një gol të shënuar në 17 ndeshje të zhvilluara me kuqezinjtë.
Përveç tij, Boka synon dhe Arturo Vidal të Barcelonës dhe Papu Gomez të Atalantës. Drejtuesit kanë objektiva të mëdha për sezonin e ri dhe kërkojnë të përforcojnë ekipin me cilësi dhe eksperiencë.