Për ndeshjen e javës së 20-të, te skuadra e Besës ka rikthime të të dëmtuarve dhe të pezulluarve. Kjo do të thotë se pesë titullarë do të jenë të gatshëm në sfidën e ditës së shtunë ndaj Lushnjes. Edhe pse në dukje kjo është një ndeshje e fituar nga kavajasit, trajneri Gugash Magani nuk e nënvlerëson skuadrën lushnjare.
Për SportEkspres.com, tekniku i skuadrës kavajase deklaron: “Dy javë pushim pa kampionat na mundësuan që Biba, Dikson e Cara thuajse janë të rikuperuar, ndërsa Çekiçi me Onuh e kanë mbyllur dënimin. Do të kemi edhe dy të skualifikuar, por mendoj se ekipi do të jetë i plotë në këtë sfidë me lushnjarët”.
“Synimi ynë është vetëm fitorja, pa e nënvlerësuar asnjëherë Lushnjen. Ajo në përbërjen e saj ka lojtarë shumë cilësorë, por objektivi ynë në këtë fazë të tretë është që t’i fitojmë të gjitha ndeshjet”, theksoi Magani në mbyllje.
AGRON KAJA