Alehandro Gomez, me pseudonimin Papu, ka qenë një ndër zbulimet e Atalantës këtë sezon dhe tashmë e kërkon me ngulm Lacio. Sulmuesi i grumbulluar me kombëtaren argjentinase nuk është më një djalosh, pasi është 29 vjeç, ndaj oferta nga Lacio po e josh së tepërmi, për të mos e mbyllur karrierën në provincë.
Lacio e sheh si zëvendësin ideal të Keitasë, i cili është pranë largimit, por tashmë duhet gjetur marrëveshja me Atalantën, që kërkon 15-20 milionë euro.
Çelësi i transferimit të Paput te Lacio mund të jetë Etrit Berisha: portieri kuqezi ka shkëlqyer në sezonin e fundit, kur ishte në huazim në Bergamo. Tani Atalanta ka edhe pak ditë kohë për ta blerë, sepse më 20 qershor përfundon opsioni për blerjen me çmimin 5 milion euro.
Këtu Lacio mundohet të përfitojë, sepse ofron kartonin e Berishës, plus 6-7 milionë euro, për të marrë Gomezin. Bisdimet vazhdojnë, sepse Atalanta kërkon të paktën 10 milionë euro, por ndjesia është se gjithçka do të mbyllet me sukses shumë shpejt.