Benfika e zyrtarizon, Ederson te Siti për 40 milionë euro

0

Mançester Siti nuk ka të ndalur dhe po e kompleton me shpejtësi skuadrën, pas largimit të disa lojtarëve ditët e fundit. Pasi bleu mesfushorin portugez Bernardo Silva për rreth 50 milionë euro nga Monako (plus bonuse të ndryshme), klubi anglez tashmë ka mbyllur blerjen e portierit brazilian Ederson Moraesh nga Benfika.

Vetëm 23 vjeç, Ederson ka mbyllur sezonin e dytë te Benfika dhe këtë sezon ka qenë perfekt, duke u bërë edhe pjesë e kombëtares së Brazilit.

Pas finales së Kupës së Portugalisë, fituar fundjavën e shkuar kundër Guimaraeshit, Ederson deklaroi se luajti ndeshjen e fundit për Benfikën, ndërsa tani edhe Benfika e ka zyrtarizuar shitjen e tij për 40 milionë euro. Është një rekord botëror për një portier, me Xhixhi Bufonin që mbante rekordin kur kaloi nga Parma te Juventusi, por krahasimi është i kotë, sepse në kohën e Bufonit milionat e paguar për të vlenin shumë më tepër se tani.

Ederson është vetëm përgjysmë i Benfikës, sepse 50% nga shitja e portierit do të shkojë te Rio Ave dhe te Gestifoot, kompania e zotëruar nga Zhorzh Mendesh, prokuratori i njohur i cili në Portugali bën ligjin dhe ka gisht në gjithë transferimet e mëdha drejt Anglisë e Spanjës.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.