Hatem Ben Arfa ka qenë një ndër futbollistët më premtues të futbollit francez, por njëkohësisht edhe një ndër futbollistët më me ulje dhe ngritje, forma e vazhdueshme për më shumë se një sezon nuk ekziston në fjalorin e franko-tunizianit.
Sezoni fantastik i tri sezoneve më parë me klubin e Nicës ku shënoi 17 gola në 34 ndeshje i siguroi Ben Arfas një kontratë marremendëse prej tetë milionë eurosh në sezon nga skuadra e PSG-së, por pavarësisht pagesës me shifra astronomike, problemet për Ben Arfan nuk mbaruan. Zënka të vazhdueshme me trajnerin Unai Emeri, që u pasuan me dënim shembullor me një vit të plotë pa qoftë dhe një aktivizim të vetëm.
Tani fantazisti 31-vjeçar është një lojtar i lirë dhe kërkon që të provojë më në fund shijen e të luajturit një ndeshje profesioniste. Pavarësisht se ka një vit pa luajtur, klubet franceze po e konsiderojnë firmën me të. Sipas “L’Equipe”, ekipi më afër firmës me Ben Arfan është Bordoja. Drejtuesit e skuadrës e konsiderojnë atë si zëvendësuesin ideal të brazilianit Malkom, i cili u transferua te Barcelona për shifrën e 40 milionë eurove.