Partizani vazhdon marshimin gjatë 2019-ës. Skuadra e Skënder Gegës mundi Kastriotin dhe shkon përkohësisht tetë pikë larg ndjekësve. Tekniku i “demave të kuq” foli për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, pas përfundimit të takimit, ku tha dhe një batutë për ndeshjen e nesërme midis Kukësit dhe Tiranës.
NDESHJA – “Loja është 90 minuta. Në pjesën e parë, ishin të vendosur në mënyrë të shkëlqyer dhe e kishin të qartë mënyrën e tyre të lojës. Por 90 minutëshi është i gjatë dhe rëndësi pati që nuk u ndëshkuam në pjesën e parë dhe arritëm te rezultati në pjesën e dytë.”
KONTINGJENTI – “Më vjen keq që u dëmtua Rexhepi, pasi është një lojtar që do të na ndihmojë shumë. Por këto janë plagët e ardhjes në janar. Jo vetëm te ne, por të çdo klub do të kenë probleme ardhjet e janarit. Atanda është një lojtar që i bën të gjitha pozicionet, stli është i plotë. Besoj se të gjithë lojtarët e dinë që do të kenë mundësinë e tyre.”
DUKA – “Sa i takon Dukës, unë e njoh personalisht. Mund ta quani si dëshirë ose si blerje e imja. E njoh që 14-vjeç dhe ka futboll në këmbët e tij. Është vetëm fillimi për të dhe nuk mund t’i vendos notë për sot.”
RREGULLAT – “Asnjë nuk më sjell probleme, të gjithë janë profesionistë. Unë jam trajner dhe kam rregullat e mija, bashkëngjitur rregullave të klubit. Luksi që të kesh tre lojtarë është shumë komod, unë i marr pozitive. Çdo njeri tjetër brenda grupit duhet të kuptojë se në fushë zbresin 11 futbollistë, por të gjithë janë në fokus. Do të kenë mundësinë e tyre, por nëse luajnë për skuadrën e Partizanit.”
IDRIZAJ – “Idrizaj nuk është nënvlerësuar. Ka luajtur 2 ndeshje, një në kampionat dhe një në Kupë. Është dëmtuar dhe ka pasur probleme fizike, prandaj nuk është aktivizuar. Bëmë një ndërrim të detyruar dhe Idrizaj nuk u aktivizua dot. Ibraimi bëri mirë dhe dha maksimumin, pavarësisht preferencave që kanë disa njerëz. Idrizaj dhe Ibrahimi janë pjesë e fortë e ekipit, kështu që… Kemi edhe 15 ndeshje dhe do të na duhen të gjithë: Idrizi, Mensah, Hebaj, të gjithë. Ideja është që të vazhdojmë kështu deri në fund kampionatit.”
BATUTA – “Unë jam tifoz me Partizanin dhe gjithmonë e kam thënë se nuk e kemi ne në dorë ecurinë e rivalit. Tirana ka treguar futboll, por nëse do e kisha në dorë unë, do kërkoja humbjen e të dyjave (qesh). Por ne do të shikojmë ecurinë tonë dhe të fokusohemi te ekipi ynë. Të jem i sinqertë, edhe ne kemi ngecur në disa ndeshje dhe nuk e di nëse janë kënaqur rivalit. Nëse Kukësi fiton, atëherë do e meritojë. Kampionati është i gjatë dhe asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Diferencat mes skuadrave nuk janë të mëdha dhe çdo gjë mund të ndodhë. Presioni te ne është të ruajmë këtë ritëm dhe të mos bëjmë hapa fals.”